Mbi 1 mijë subjekte të cilat përdorin vajra të përdorur dhe mbi 360 subjekte që merren me importin e rreth 50 mijë tonëve cdo vit, janë vendosur në sitën e inspektorëve të Ministrisë së Mjedisit.
Në pjesën më të madhe, këto subjekte punojnë pa respektuar kriteret e licencës e duke shkaktuar një ndotje të lartë në mjedis. Nga kontrolli i fundit për 14 subjekte që merren me trajtimin dhe riciklimin e vajrave të përdorura dhe të mbetjeve portuale, është kërkuar pezullimi i aktivitetit dhe për 11 të tjera janë vendosur gjoba me 500 mijë lekë.
“Një numër subjektesh prej 366 që merren me importimin e vajrave në Shqipëri. Pavarësisht tonazhit ne jemi në komunikim të vazhdueshëm me doganat për adresat dhe sasinë që sjellin në Shqipëri, por sigurisht ato kanë detyrimin ligjor që të pajisen me një kontratë, me një menaxhues të licensuar që merret me grumbullimin dhe trajtimin e këtyre vajrave”, thotë Drejtori i Kontrollit të Mjedisit, Alfred Deshati.
Inspektorët e mjedisit kanë vendosur heqjen e licencës për dy subjekte, ndërkaq u është bërë apel 18 shoqërive të trajtimit të vajrave dhe importuesve për plotësimin e të gjitha kritereve të vendosura nga Ministria e Mjedisit.
“Janë mbi 1 mijë subjekte në të gjithë Shqipërinë që janë gjeneruese të vajit të përdorur dhe sigurisht ato do të duhet që t’i ushtrohen një sërë plotësimi dokumentacionesh, jo vetëm me leje dhe licensim, por duhet që urgjentisht të pajisen me regjistra që ne të kemi vazhdimisht të dhëna të hollësishme për vajrat që ato gjenerojnë”, shprehet zoti Deshati.
Sipas specialistëve, këto vajra janë një kontribues i madh në ndotjen e ajrit pasi në shumë raste perziehen me karburantet që shiten për makinat.
Top Channel