Kuvendi i Serbisë, në një seancë për Kosovën, ka zhvilluar debate të ashpra. Partitë e vogla parlamentare të grupeve ultranacionaliste kanë akuzuar krerët e shtetit për tradhti dhe kanë kërkuar që marrëveshja të mos pranohet.

Ata kanë thënë se plani i Marti Ahtisarit ka qenë më i mirë se marrëveshja e arritur tani. Por kryeministri Ivica Daçiç ka theksuar se, dikush është dashur ta marrë një vendim të tillë dhe ta nënshkruajë.

Ai ka thënë se marrëveshja duhet të zbatohet, në të kundërt do të mund të ndodhë një skenar i ngjashëm me dëbimin e serbëve nga Kroacia në aksionin ushtarak të quajtur “Furtuna”.

I përcjellë me ovacione dhe ulërima, Daçiç ka theksuar se këto bisedime kanë qenë më të vështirat pasi janë bërë pas shpalljes së pavarësisë.

Ai ka theksuar se që prej 32 vjetësh Serbia është në gjendje të jashtëzakonshme. “Është koha që të luftojmë ndryshe për interesat tona dhe jo të festojmë disfatat siç kemi bërë me shekuj“, ka thënë Daçiç.

Ndërkohë, komisioneri i BE për Zgjerimin, Shtefan Fyle, gjatë qëndrimit të tij në Beograd ka thënë se marrëveshja është nënshkruar që të zbatohet dhe jo të ngelet në letër. Serbia, të martën do të vendosë nëse do të ketë referendum ose jo për Kosovën.

Top Channel