Rreth 2.500 manifestues kanë zbritur të shtunën në sheshin e Lubianës, në Slloveni, për të protestuar kundër korrupsionit të klasës politike.

Sipas raportimeve të mediave lokale, bëhet fjalë për protestën e parë që mbahet në vend që nga ardhja në pushtet e qeverisë së re të qendrës së majtë, më 20 mars.

Qeveria e mëparshme konservatore e Janez Jansha ra në janar pikërisht për shkak të presionit të protestave qytetarë, për shkak të një skandali korruptiv.

Me atë rast zbritën në sheshin e kryeqytetit për të protestuar të paktën 20 mijë persona, ku nuk munguan incidentet dhe përplasjet me policinë.

Ndërkohë, protesta e sotme është mbajtur edhe kundër masave anti-krizë. Më herët gjatë muajit ishte pikërisht Sllovenia që pas Portugalisë, Spanjës, Irlandës, Greqisë e Qipros shtriu dorën për ndihmë drejt Brukselit është Sllovenia.

Prej muajsh sistemi bankar slloven ndodhet në vështirësi, ndërsa shuma që i duhet për të përballuar krizën financiare përllogaritet diku tek 2.6 miliard euro.

Analistët dhe institucionet ndërkombëtare dyshojnë fort se Sllovenia do të mund të sigurojë këtë shumë nga masat shtrënguese si ulja e shpenzimeve publike, apo rritja e taksave në disa sektorë.

Ndaj, ata parashikojnë që vendi t’i drejtohet Bashkimit Europian dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar duke ndjekur ndoshta të njëjtën rrugë si vendet e përfshira më herët në krizë.

Top Channel