Mediat maqedonase, të afërta me pushtetin, kanë filluar një fushatë anti-amerikane, pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit për Maqedoninë, i cili përmban kritika të shumta për Shkupin.

Fushatë të ngjajshme, disa anëtarë të partisë maqedonase në pushtet, VMRO-DPMNE, po zhvillojnë edhe nëpër rrjetet sociale.

Ish-zëdhënësi i qeverisë, Martin Martinovski, në profilin e tij në Facebook, ka shkruar: “Raportet e Departamentit të Shtetit për të drejtat e njeriut dhe demokraci nëpër botë janë të njohura. Dikujt i pëlqejnë e dikujt jo. Por, kjo tani nuk është me rëndësi. Më intereson, kur tashmë flitet për të drejta themelore të njeriut, a ka raport se çfarë po ndodh në Guantanamo?”.

Analistët në Shkup thonë se kjo fushatë dëshmon frymën anti-amerikane, që mbizotëron te partia më e madhe maqedonase, VMRO-DPMNE.

Përveç tentimit për të relativizuar efektin në opinion, nga Raporti i ashpër i Departamentit Amerikan të Shtetit, analistët janë të mendimit se me këtë fushatë, partia e kryeministrit Nikolla Gruevski tenton të injorojë presionin e bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e problemit bilateral me Greqinë, për çështjen e emrit të Maqedonisë.

Sipas analistëve, nëse Shkupi në qershor nuk merr datë për fillimin e bisedimeve me BE-në dhe nuk arrihet kompromis për emrin, atëherë partia shqiptare në pushtet, BDI, duhet të rishikojë partneritetin me VMRO-DPMNE në qeveri dhe të dënojë publikisht fushatën anti-amerikane, për shkak të alencës së shqiptarëve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Top Channel