Policia e Malit të Zi, në bashkëpunim me Interpolin, lajmëroi të martën për nisjen e një kontrolli të gjerë mbi pasurinë dhe aktivitetin e shumë shtetasve  rusë që kanë prona apo investime në vend.

Fqinji ynë veri-perëndimor ka njohur një bum investimesh ruse në dekadën e fundit, mbi të gjitha në sektorë si hoteleri-turizmi e prona të patundshme, por besohet se shumë prej këtyre pasurive mund të jenë financuar në mënyrë të paligjshme.

Ekzistojnë dyshimet se investimet në Malin e Zi, gjithashtu, për shumë shtetas rusë janë një mënyrë pastrimi parash apo evazioni fiskal.

Sipas kreut të zyrës së Interpolit në Podgoricë, Dragan Djuroviç, hetimet po bëhen për llogari të policisë ruse, e cila në 15 muajt e fundit ka dërguar 22 dosje me emra të dyshuarish, në këtë zyrë.

”Disa prej hetimeve janë realizuar dhe të tjerë janë ende në vazhdim. Policia malazeze është e vendosur që të bashkëpunojë ngushtësisht me autoritetet ruse dhe Interpolin”, shtoi Djurovic për të përditshmen “Dnevnim novinama”.

”Kryesisht, hetimet po përqendrohen rreth atyre shtetasve rusë që besohet se kanë fituar para në mënyrë të paligjshme, për t’i investuar më pas në Europë si një formë riciklimi të të ardhurave”, tha Djuroviç.

Top Channel