Zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçiç planifikon të vizitojë Kosovën mes datave 7 dhe 12 maj.

Sipas raportimeve të mediave serbe, Vuçiç do të përpiqet të bindë serbët e Veriut që të zbatojnë marrëveshjen me Prishtinën të arritur në Bruksel.

“Zbatimi i marrëveshjes duhet të ndodhë dhe tani çështja është, se a do të bëhet kjo në pajtim me serbët e Kosovës”, ka thënë Vuçiç.

Dy ditë më parë, Vuçiç dhe kryeministri Daçiç vizituan serbët e veriut të Kosovës, me të cilët nuk arritën një marrëveshje.

Sipas mediave serbe, serbët kërkuan nga Beogradi që më parë të vlerësohet kushtetueshmëria e marrëveshjes së Brukselit dhe pastaj të mbahet referendumi.

Ndërkohë, vetë kryeministri serb deklaroi të mërkurën se, marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën do të zbatohet, duan apo jo serbët e veriut.

“Qeveria e Serbisë nuk ka se çfarë të negociojë me askënd. Ne kemi vendosur ta pranojmë atë marrëveshje dhe ajo do të zbatohet. Mbetet vetëm të shihet se si të jenë sa më të vogla pasojat për popullin, që të gjithë bashkë të merremi vesh”, tha Daçiç.

Ai theksoi se, serbët e veriut në të vërtetë nuk e duan referendumin pasi e dinë se cili do të jetë rezultati i tij: që marrëveshja të zbatohet.

“Askush nuk ka të drejtë që këtë vend ta çojë edhe më tej drejt rrënimit. Marrëveshja nuk është kundër popullit, me të ruhen institucionet dhe vendet e punës për serbët”, deklaroi Daçiç.

Top Channel