Të këqijat s’i kemi prej ligjit elektoral

05/05/2013 00:00

MUSTAFA NANO – Dje lexova dy komente mbi listat e mbyllura, rrjedhimisht mbi ligjin elektoral tonin, që e inkurajon dhe e bën një praktikë të detyrueshme këtë punën e listave të mbyllura.

Ishte një koment i Preç Zogajt, i bërë brenda një interviste që ai kish dhënë për “Mapon”, dhe një koment tjetër, gjithashtu në “Mapo”, i Henri Çilit. Zogaj i jepte munxët sistemit elektoral të ndërtuar nga një marrëveshje mes Berishës e Ramës para zgjedhjeve të vitit 2009 dhe ai nuk është i pari që e bën këtë, gjë që do të thotë se ky sistem proporcional rajonal ua ka sjellë të gjithëve, në mos të shumtëve, në majë të hundës. “Unë nuk e dua këtë sistem; është armiku im politik; dhe duhet të jetë armiku politik i të gjithë njerëzve të lirë që vlerësojnë vlerat e individit në politikë”, thosh Zogaj. Dhe kuptohet që është ndalur në këtë mes në njërin nga papërsosmëritë e këtij sistemi.

Çili bënte një listë dukurish që i pjell natyra perverse (“perverse” ish termi i tij) e këtij ligji, dhe në këtë listë kish dhe ndonjë dukuri të paqortueshme, siç është “mundësia që jep ky sistem elektoral për të thithur në mënyrë më komode se sa sistemi mazhoritar individë nga shoqëria jashtë politikës”. E më poshtë fliste dhe për dukuri të rrezikshme.

Përsëris: këtij ligji që kemi i janë bërë kritika në çdo kohë e nga çdo drejtim. Unë personalisht, përpara se të miratohej në Parlament, kam shprehur simpatinë time për këtë ligj “spanjoll”, në mos për tjetër, të paktën për faktin që ky ligj do bënte të mundur t’na hiqej sysh ajo harta elektorale që njollosej blu sipër, në Veri, e njollosej rozë poshtë, në Jug, duke krijuar kështu imazhin e një demokracie tribale dhe të një ndarjeje të thellë veri-jug. Ligji i ri pra rindërtonte një hartë elektorale me plot njolla rozë sipër e me plot njolla blu poshtë.

Një vlerësim aposteriori i këtij ligji më ka bindur, sidoqoftë, për do papërsosmëri të sikletshme, ndoshta dramatike, që bart ky ligj. Por kujdes! Nuk ka ligj elektoral të përsosur. Të paktën, shkenca politike e derisotme, që padyshim njeh rëndësinë dhe fuqinë që ka ligji elektoral, çdo ligj elektoral, për të diktuar, kondicionuar e modeluar llojin e demokracisë, të sistemit të qeverisjes dhe të jetës politike në përgjithësi, nuk ka dalë asnjëherë me pretendimin se është zbuluar më në fund një ligj elektoral i përsosur. Me fjalë të tjera, të gjitha ligjet elektorale që ekzistojnë në botën e sotme demokratike bartin cene të tyret, dhe ligjvënësit, kur u duhet të miratojnë një ligj të tillë, nuk është se vihen në pozitën për të zgjedhur midis një ligji të keq e një ligji të mirë. Jo, ata vihen në pozitën për të zgjedhur midis një ligji, papërsosmëritë e të cilit mund ta bëjnë lesh e li situatën politike dhe mund ta bëjnë jo eficiente demokracinë e sistemin e qeverisjes, dhe midis një ligji tjetër, papërsosmëritë e të cilit provokojnë trauma më të vogla.

Duke u kthyer tek ligji ynë elektoral, duhet thënë se këtij po i mveshin ca pasoja, që në të vërtetë nuk vijnë prej tij. Po, ky ligj ka probleme, dhe nuk është keq të ndryshohet, por jo çdo problem që ne pikasim në kontekstin elektoral apo në sistemin tonë të qeverisjes duhet lidhur domosdoshmërisht me ligjin. Marrim, fjala vjen, çështjen e fuqisë që kanë kryetarët për të bërë listat e deputetëve si t’ua ketë ënda. Është ligji që kemi që na e ka bërë peshqesh këtë hall? Nuk besoj. Të paktën, nuk është thjesht e vetëm ligji. Kryetarët e dy partive tona të mëdha e kanë pasur këtë fuqi edhe kur ligji elektoral ka qenë tjetër, dhe kjo do të thotë se kjo fuqi, ky pushtet i tyre, përpara se t’u vijë prej një ligji elektoral, u vjen prej një kulture politike të vetë partive politike, e cila (kjo kulturë) inkurajon fuqizimin e numrave një të partive, dhe legjitimon çdo prapësi e çdo tekë të tyre. Shikoni se si funksionojnë partitë jashtë një konteksti elektoral. Ato kanë një kryetar absolut, dhe termin “absolut” jeni të lutur të mos e merrni si një teprim stilistik. Janë kryetarë me një autoritet njimend absolut, gjë që do të thotë se secili anëtar është në garë për t’iu qurravitur sa më shumë, për t’i fituar zemrën, për t’u futur në rrethin e ngushtë të tij. Kjo ndodh, ngaqë deputetët apo aspirantët për deputetë jetojnë gjatë gjithë kohës me frikën se mund të mos bëjnë pjesë tek lista e kanakarëve të kryetarit në momentin e ardhshëm elektoral? Një lloj roli mund ta luajë edhe ky fakt, por është e sigurt se rolin më të madh e luan natyra aspak demokratike e partive. Dhe nuk është, sipas meje, udhëheqësi që u imponon të tjerëve diktatin e tij, autoritetin e tij, funksionimin jo demokratik të partisë. Jo, janë të tjerët që kanë nevojë për një kapo; është kultura jonë politike që na bën neve të shprehim nevojën e dëshirën për (apo të inkurajojmë) fuqizimin e kapove, e që na bën ta shohim kërkesën për demokraci në parti si një kërkesë që të çon në shthurje, në kaos e në shpërbërjen e vetë partisë.

Ja, po pyes: Ligji i pengon socialistët ta thonë të tyren, teksa shohin që listat po bëhen me frymëzime ezoterike? Ok, ligji pengoka ca syresh që e kanë shumë merak karrierën e tyre politike, e që për këtë arsye nuk donin ta prishnin me leader-in apo leadership-in, por nuk ka pse të pengojë mijëra të tjerë që nuk kanë interesa të ngushta karriere e afirmimi publik. Sipas meje, i pengon mënyra se si ata e shohin partinë, mënyra se si ata e kuptojnë luajalitetin politik, mënyra se si ata e shohin udhëheqësin e tyre.

PD-ja është një ilustruese më e saktë e dukurisë. Në PS ka një numër rebelimesh, të paktën nga ana e atyre që janë ndeshur me shpërfilljen e kryetarit të tyre (të fundit janë Islami, Kadeli, Dogjani); kjo s’do të thotë ndonjë gjë në terma parimorë (përkundrazi), por do të thotë diçka në terma të lirisë individuale për t’u shprehur, për t’u zbrazur, për të zbrazur qoftë dhe në duf (është provë demokracie liria individuale për të zbrazur një duf), gjë që në PD nuk ekziston as në rrethanat kur kryetari i injoron, i nxjerr nga listat dhe nuk i mban në rrethin e të besuarve. 23 deputetë të PD-së nuk do të jenë kandidatë këtë herë (e thosh “Shekulli” i djeshëm), por askush prej tyre nuk është rebeluar; e nuk ka gjasa që të rebelohet. Është kjo shenjë e faktit që ata janë të ndërgjegjshëm se nuk e meritojnë këtë herë? Jo, kjo është shenjë e faktit se për ta, kapoja është kapo në çdo rrethanë, është kapo edhe në rrethanat kur ua dëmton qartazi interesat e tyre të prekshme dhe ambicien e tyre për karrierë.

Përfundimi është që është e kotë ta kërkojmë fajin tek ligjet që kemi, qoftë dhe tek ligji elektoral që ka atë rëndësi që ka. Të bësh me faj ligjin elektoral për dukurinë e mësipërme, është njësoj si të bësh me faj të njëjtin ligj për faktin që votat manipulohen, votat vidhen, rezultati trukohet e zgjedhjet kontestohen e prishen. Të gjithë ne e dimë se nuk është ligji që prodhon zgjedhje të këqija. Është vullneti politik. Me fjalë të tjera – dhe këtu kthehem tek diskutimi i mëparshëm – është kultura politike që kemi.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel