Malaj: Kandidoj për socialistët

07/05/2013 00:00

Për Fatos Nanon, ‘Rogner’ vijon të mbetet një ambient i frekuentuar
sikurse në kohën kur ishte Kryeministër, por kësaj here mbërritja e tij
në sallën ‘Viena’, kishte si qëllim mbështetjen e deputetit të pavarur
Arben Malaj.

I lënë jashtë listave të PS-së, Arben Malaj e nisi konferencën për shtyp duke falenderuar mbështetësit por e quajti vendimin e kandidimit si i pavarur si të vështirë.

“Sigurisht që marrja e këtij vendimi është ndjenjë e përgjegjësisë dhe koha do të jetë gjykatësi më i mirë.Mandati i fituar nga ky angazhim do të jetë në shërbim vetëm të socialistëve, por sigurisht për ta bërë PS-në fituese edhe për ta mbrojtur PS-në nga tendencat neodiktatoriale në organizimin dhe drejtimin e saj, gjë që i ka kushtuar rëndë gjatë 8 vjetëve në opozitë”, tha Malaj.

Top Channel ishte i pari që paralajmëroi kandidimin si i pavarur të Arben Malajt përpara nisjes së mbledhjes të  kryesisë së PS, fakt që nuk u konfirmua nga zoti Malaj perpara mbledhjes. Kjo ishte përgjigjja e zotit Malajt, kur u pyet një ditë më pas se kur e kishte marrë këtë vendim: “Sigurisht që vendim e kam marrë sapo jam njohur me listën. Por nga ana tjetër për shkak se disa nga besnikët e Ramës kishin kohë që përbetoheshin se do të më eliminonin ngas politika, nuk më lejohet në eksperiencën time, por më tepër në detyrimin tim që mos të isha gati për të kryer një veprim të cilin e vlerësoj të dobishëm për socialistët shqiptarë”.

Per Fatos Nanon, angazhimi tij ne krah te zotit Malajt eshte thjesht parimor, ndersa artikuloi akuza ndaj Ramës duke theksuar se shqiptarët duhet të shpëtojnë nga klanet e errësirës së politikës shqiptare.

“Besoj së është i qartë motivi që më sjell në mbështetje dhe në krah të Arben Malajt është një angazhim parimor. Nuk ka asgjë të errët në marrëdhëniet e mia me përfaqësues të zgjedhur në disa mandate në drejtimin e PS-së apo në qeveritë e saj, si zoti Malaj apo zoti Islami. Nëse votat e socialistëve të Vlorës do të shkojnë te Arban Malaj dhe jo ek Koco Kokëdhima, kjo është përgjegjësia e Ramës jo e jona”, tha Nano.

Top Channel