“Evropa është e vetmja perspektivë për Ballkanin”. Kështu ka deklaruar kryeministri i Serbisë Ivica Daçiç në një intervistë për gazetën “Kurir” të Vjenës.

Daçiç është shprehur se tani është koha për shërimin e plagëve nga e kaluara, pasi sipas tij, shikimi pas nuk do të ndihmonte askënd por vetëm do të thellonte konfliktet.

”Sikur me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi të flisja për të kaluarën, e gjitha do të përfundonte me një grindje të rëndë dhe s’do të kishte marrëveshje”, ka deklaruar Daçiç.

Lidhur me marrëveshjen në fjalë, Daçiç tha në fillim të muajit, në një intervistë për televizionin serb “Pink”, se ajo do të zbatohet, duan apo jo serbët e veriut.

“Qeveria e Serbisë nuk ka se çfarë të negociojë me askënd. Ne kemi vendosur ta pranojmë atë marrëveshje dhe ajo do të zbatohet. Mbetet vetëm të shihet se si të jenë sa më të vogla pasojat për popullin, që të gjithë bashkë të merremi vesh“, tha Daçiç.

“Askush nuk ka të drejtë që këtë vend ta çojë edhe më tej drejt rrënimit. Marrëveshja nuk është kundër popullit, me të ruhen institucionet dhe vendet e punës për serbët”, vijoi kryeministri serb.

Top Channel