Restoranti Kalin, në fshatin Obrezhje në Slloveni, është ende i ndarë në dy territore, njëra pjesë e tij është në Kroaci. Në fshat është qetë dhe të rralla janë makinat që kalojnë afër. Pak kilometra më tej është kufiri shtetëror me Kroacinë fqinje, e cila pritet të hyjë në Bashkimin Europian.

Ky restorant, për të cilin Top Channel ka raportuar më parë, ndodhet i ndarë me një linjë të verdhë dhe simbole shtetesh të vëna nga zyrtarët e shtetit. Ka pak miq dhe fqinjët vijnë më rrallë. Në njërën pjesë ndodhet kuzhina, në tjetrën salla e ngrënies dhe bari. Gjysma e ambientit të jashtëm ndodhet në shtetin fqinj. Kroacia do të ketë ende kufirin, por, për shtetasit e saj, lëvizja do të jetë më e lehtë. Fqinjët, që dikur i takonin të njëjtit shtet, sërish do bëhen bashkë.

“Miqtë tanë të rregullt kthehen gjithnjë, por të rinjtë shumë rrallë, pasi duhet të kalojnë kufirin, nuk e dinë nëse mund të pinë një gotë verë, kanë probleme dhe njerëzit duan të hanë drekë në qetësi, ndaj dhe i shmangen këtyre udhëtimeve”, tha Mira Bajs, nga restoranti “Kalin”.

Sllovenët dhe kroatët kanë qenë në konflikt për një kohë të gjatë, për shkak të kufirit dhe territorit, që ishte ndarë në mënyrë të çuditshme. Tani, jo pak do të ketë rëndësi. Paradoksi i ndarjes e ka nxjerrë restorantin Kalin në të gjitha mediat e rëndësishme botërore. Aty tregojnë se miqtë, shpesh vinë deri në kufi e më pas kujtohen se për të hyrë në restorant u duhet pasaporta, pasi hyrja është në Slloveni.

“Pres të ketë një lëvizje më të lirë dhe më shumë miq me futjen e Kroacisë në BE. Megjithëse ekziston një krizë botërore dhe shpresojmë të jetë më mirë edhe për ne”, shtoi Mira Bajs.

Linjat kufitare, pas pak kohësh, do të ngelen si atraksione turistike. Sllovenët e sprovuar me Europën shpresojnë që kroatët nuk do të përballen me kriza. Gjithsesi, për një shije të mirë, kërkohet kalimi nëpër një rrugë të drejtë.

Top Channel