Tabelat me shkronjat cirilike janë bërë gati për t’u vënë, por më pas janë dërguar në pritje. Serbët e Vukovarit në Kroaci në bazë të regjistrimit të popullsisë kanë fituar të drejtën për përdorim të gjuhës së tyre.

Serbishtja dhe kroatishtja dallojnë ndoshta dhjetë përqind, por në tërësi kuptimi është i njëjtë. Pakicat flasin njësoj me shumicën dhe e vetmja pikë ku dallohen është përdorimi i alfabetit.

Veteranët kroatë kanë ngritur zërin disa herë në kundërshtim të vendosjes së këtyre tabelave dhe shkronjave dhe kanë bërë protesta.

Zdravo Komsic, një nga zëdhënësit e veteranëve, thotë se Serbia ka vrarë mbi 5 mijë njerëz dhe ka bombarduar qytetin me dy milionë granata dhe ky është një ofendim. Përveç frikës për vende të privilegjuara pune për serbët, ai thotë se askush nuk është dënuar.

“Kroatët e Vukovarit kurrë nuk do t’i pranojnë shkronjat cirilike. Nëse qeveria pavarësisht protestave i injoron njerëzit dhe do t’i vendosë me dhunë, atëherë në do t’i kundërshtojmë me të gjithë bashkëluftëtarët tanë. Nëse kjo ndodh, natën ose ditën ne do t’i heqim, kjo është e sigurt”, thotë Zdravko Komsic, Zëdhënës i veteranëve në Vukovar.

Beteja e parë dhe më e fuqishmja në luftën e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë në Kroaci ka qenë pikërisht ajo e Vukovarit. Serbët dorëzuan qytetin dy vjet pas luftës. Tani banorët kanë një bashkëjetesë ose të paktën jetojnë në një vend, ndonëse kafenetë i kanë të ndara.

Ky nuk do të ishte një problem në Ballkanin e urrejtjeve nëse Kroacia nuk do të duhej të respektonte të drejtat e pakicave si vend i Bashkimit Europian së shpejti. Për Srdjan Milakovic nga Partia e Pavarur Demokrate  e Serbëve të Vukovarit, refuzimi nga kroatët është një retorikë e panevojshme.

“Është fakt që serbët këtu janë pakicë dhe nuk ekziston asnjë rrezik nga ata. Tani janë duke u krijuar disa ide që serbët rrezikojnë popullin shumicë këtu. Kjo nuk qëndron. Është duke u përdorur një retorike nga koha e luftës. Serbët nuk duan të provokojnë askënd”, deklaroi ai.

Me shkronja të njëjta apo të ndryshme kuptimi i tensioneve është i ngjashëm: e shkuara dhe e ardhmja.

Top Channel