Partia Socialiste ka vijuar fushatën denoncuese në publik për ato që ajo
i quan dështime të Qeverisë. Argumenti i radhës që opozita parashtroi
si një nga 100 arsyet se pse shqiptarët nuk duhet ta votojnë sërish Sali
Berishën është shthurja e financave publike.

“Borxhi publik është rritur edhe rreth 300 milionë dollarë më shumë në 3 muajt e parë të vitit. Shtohet me 2,8 milionë dollarë çdo ditë. Shtohet me 140 mijë dollarë çdo orë që Saliu drejton qeverinë dhe Ridvani financat publike. Në 31 mars 2013, borxhi publik arriti 8,6 miliardë dollarë. Borxhi rritet, por ekonomia ka ndalur. Borxhi rritet, por papunësia nuk ulet. Borxhi rritet, por varfëria nuk zbutet.Borxhi rritet, por edhe analfabetizmi funksional rritet. Borxhi rritet, por sistemi shëndetësor rrënohet”, thotë Ilir Beqja.

Opozita mendon se modeli ekonomik i Qeverisë që rëndon borxhin për qytetarët por pa sjellë mirëqënie për ta është i shteruar.  

“Prandaj duhet një model i ri ekonomik. Prandaj duhet rilindje edhe për ekonominë, edhe për administrimin e financave publike. Ne jemi gati ta bëjmë realitet. Me programin tonë Për një Rilindje Shqiptare, me skuadrën fituese të kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste dhe të koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane. Me Edi Ramën kryeministër. Në 23 qershor 2013”, tha Beqja.

Në fund të këtij viti, borxhin publik sipas shifrave të vetë Qëeverisë pritet të arrijë në 63.8 për qind të ekonomisë kombëtare ose 10 pikë përqindje më shumë se në vitin 2007.

Top Channel