Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç është shprehur optimist se delegacioni serb dhe ai kosovar që po takohen në Bruksel do të arrijnë një marrëveshje për planin e zbatimit të paktit të Brukselit.

Në një prononcim për mediat serbe, Daçiç ka deklaruar se pret që marrëveshja mbi planin në fjalë të arrihet brenda kësaj jave mes palëve.

“Në Bruksel po bisedohet çdo ditë e më shumë dhe besoj se këtë javë do të arrihet deri tek mbyllja e planit të zbatimit të marrëveshjes së 19 prillit”, ka thënë Daçiç.

Ai ka shtuar se zyrtarët në Beograd dëshirojnë që Serbia të dërgojë mesazhe pozitive nëpër botë, ashtu sikurse kërkojnë që të marrin mesazhe pozitive për afrimin e Serbisë me BE-në.

Një ditë më parë, në një intervistë për gazetën “Kurir” të Vjenës, kryeministri serb vlerësoi se, Evropa është e vetmja perspektivë për Ballkanin.

Daçiç u shprehur se tani është koha për shërimin e plagëve nga e kaluara, pasi sipas tij, shikimi pas nuk do të ndihmonte askënd por vetëm do të thellonte konfliktet.

”Sikur me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi të flisja për të kaluarën, e gjitha do të përfundonte me një grindje të rëndë dhe s’do të kishte marrëveshje”, deklaroi Daçiç.

Lidhur me marrëveshjen në fjalë, Daçiç tha në fillim të muajit, në një intervistë për televizionin serb “Pink”, se ajo do të zbatohet, duan apo jo serbët e veriut.

Top Channel