Ministria greke e Drejtësisë do të hedhë për konsultim dhe më pas për miratim në Parlament një projektligj kundër racizmit.

Sipas tij, të gjithë ata që nxisin dhunën raciale do të përballen me denime me heqje lirie, privim të të drejtave politike, por edhe gjoba të mëdha.

Nga këto dënime nuk përjashtohen as politikanët me retorike raciste. Në këto raste do t’u hiqet automatikisht imuniteti parlamentar të gjithë atyre që nxisin dhunën raciale kundër personave të ndryshem, lavdërojne nazistët dhe përshëndesin në mënyrë naziste.

Nëse shpallen fajtorë nga gjykata, do të jenë të privuar prej të drejtave të tyre politike, nga 2 deri 3 vjet, dhe nëse personi që kryen këto akte është lider i një partie, atij do t’i ndërpritet edhe financimi shtetëror.

Sipas projektligjit, dënohen jo vetëm veprimet me motive raciste, por edhe fjalimet e kësaj natyre. Në dënimet më të ashpra përfshihen: burgimi me gjashtë vjet dhe gjoba deri në 20.000 euro.

Me ndëshkime të njëjta do të dënohen të gjithë ata që në të njëjtën mënyrë mohojnë apo zhvlerësojnë rëndësinë e krimeve të gjenocidit apo të krimeve të nazizmit dhe fashizmit.

Me futjen në Parlamentin grek të partisë neonaziste Agimi i Artë është regjistruar paralelisht dhe një rritje e sulmeve me motive raciste.

Vetëm gjatë viti të kaluar janë regjistruar 154 raste të tilla, prej të cilave tre kanë përfunduar në vrasje, ndërsa 66 kanë shkaktuar lëndime të rënda.

Projektligji bashkon për herë të parë klasën politike në Greqi, me radikalët e majtë të opozitës që shprehen se janë të gatshëm për të mbështetur iniciativen legjislative të qeverisë.

E vetmja forcë politike që ka kundërshtuar është Agimi i Artë, që thekson në një deklaratë për shtyp se: “Ky projektligj kërkon të frenojë rritjen e fuqisë së kësaj partie, që është zëri i së vërtetës kundër sistemit të kleptokracisë, mashtrimit dhe tradhtisë”.

Kreu i saj, Nikos Mihaloliakos disa muaj më parë përshëndeti hapur në mënyrë naziste në një miting të partisë së tij, duke ngjallur reagime të fuqishme të të gjitha forcave politike dhe qytetarëve të thjeshtë.

Top Channel