Zv/kryeministri i Maqedonisë për çështjet europiane, Fatmir Besimi, ka qëndruar të mërkurën në Athinë për të biseduar me palën greke, rreth problemit bilateral lidhur me emrin kushtetues të Maqedonisë, që po mban të bllokuar integrimin e Shkupit në NATO dhe BE.

Zoti Besimi, pas takimit me shefin e diplomacisë greke, Dimitris Avramopulos, tha se ka vërejtur klimë pozitive tek autoritetet greke, për thellimin e bashkëpunimit dhe për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve lidhur me kontestin 20-vjeçar.

“Pres që, së shpejti, çështja e emrit të zgjidhet, në mënyre që të mund të ecim përpara në perspektivën tonë europiane, por edhe që të japim sinjal pozitiv për rajonin dhe të promovojmë optimizmin për integrimet europiane në Ballkan. Ne ndajmë të njëjtin qëllim, rajoni të bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Ne ndajmë të njëjtat vlera për sa i përket paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajon. Nga kjo pikëpamje, këtë takim e konsideroj si një hap përpara në arritjen e këtij synimi”, tha Fatmir Besimi.

Nga ana tjetër, shefi i diplomacisë greke u shpreh se, nëse mes palëve mbizotëron konsensusi, mund të arrihet një zgjidhje e përbashkët, që bazohet në respektin e ndërsjelltë historik dhe kulturor.

“Rëndësia e takimit të sotëm ishte vërtetimi se, me kushtet që vendos Brukseli, rruga është e hapur për vendin fqinj të bëhet anëtar i BE-së. Kemi nevojë të përparojmë me një ritëm të shpejtë, që të gjendet zgjidhje. Këtu pozitat tona janë të qarta, pranimi i emrit me një përcaktim të qartë gjeografik, e cila nuk do të lërë hapësirë për politika iredentiste, dhe nuk do të këtë hapësirë për dilema në çështje të ndjeshme, që lidhen me respektimin e historisë dhe kulturës”, tha Dimitris Avramopulos, ministër i Jashtëm i Greqisë.

Jo zyrtarisht, mësohet se Athina do të lëshojë pè në samitin e BE-së, që do të mbahet në qershor dhe nuk do të dalë kundër caktimit të datës për çeljen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Europian.

Top Channel