Një i burgosur nga Iraku ka humbur jetën në burgun e Grevenasë, në Greqi, pas një konfrontimi të përgjakshëm me disa të burgosur të tjerë, shumica e të cilëve shtetas shqiptarë.

Ngjarja ka ndodhur pasditen e së premtes, kur dy grupe kundërshtare brenda burgut, njëri me shqiptarë dhe tjetri me arabë, kanë filluar të gjuajnë njëri-tjetrin me sende të forta për arsye që ende nuk dihen.

Nga konfrontimi një prej tyre, i dënuar me burgim të përjetshëm dhe i akuzuar për disa vrasje, ka humbur jetën, ndërsa janë plagosur tre persona të tjerë, një shqiptar 20 vjeç, një iraken dhe një sirian, të gjithë të dënuar me burgime të rënda.

Të plagosurit, gjendja e të cilëve konsiderohet serioze, po mjekohen në spitalin e Grevenasë. Sipas mjekut ligjor, vdekja e të burgosurit iraken, 30 vjeç dhe plagët e të lënduarve janë shkaktuar nga goditjet me thikë.

Edhe para dy javësh në këtë burg kishin ndodhur konfrontime të ngjashme midis të burgosurve dhe shtatë prej tyre kishin mbetur të plagosur.

Pas përleshjes, nga kontrolli i gardianëve dhe i forcave speciale janë gjetur gjithësej 25 thika dhe 42 telefona celularë. Ndërsa shumica e të burgosurve kanë protestuar se ndaj tyre shpesh herë në javët e fundit ushtrohet dhunë nga forcat e rendit.

Qeveria greke po përpiqet të kryejë një ristrukturim të burgjeve në të gjithë vendin, pas disa arratisjeve të bujshme në muajt e fundit, mbipopullimit të qelive dhe kushteve të të burgosurve.

Madje, Ministria e Drejtësisë po shqyrton transportimin e mbi 500 të burgosurve shqiptarë që vuajnë akuza për krime të rënda nga burgjet e Greqisë në ato të Shqipërisë, ndersa po diskuton që të zbatojë të njëjtën proçedurë edhe me Bullgarinë dhe Rumaninë.

Top Channel