Miliona bullgarë i drejtohen kutive të votimit që prej mëngjesit të së dielës, për të zgjedhur kryeministrin e tyre të ardhshëm, në një moment kyç për historinë e vendit.

Protesta masive popullore kundër standartit të ulët të jetesës dhe korrupsionit të gjithëpërhapur detyruan partinë e qendrës së djathtë të kryeministrit Boiko Borisov që të jepte dorëheqjen në muajin shkurt.

Aktualisht, vendi më i varfër i Bashkimit Europian është në një recesion të thellë ekonomik dhe reforma të menjëhershme janë bërë të domosdoshme për të përmirësuar këtë gjendje.

Megjithatë, ndërsa zgjedhjet po vazhdojnë përgjithësisht në mënyrë të qetë, nuk është pritur mbyllja e orarit zyrtar të votimit për të regjistruar akuzat për manipulim.

Ditën e shtunë, prokurorët thanë se gjetën 350 mijë fletë votimi të paligjshme në një shtypshkronjë, vota që dyshohej se do të hidheshin ilegalisht në emër të personave që nuk do të votonin.

Ndërkohë, në ditët përpara zgjedhjeve, vendi u trondit gjithashtu nga një skandal përgjimi të politikanëve prej ish-kryeministrit Borisov.

Një prej figurave më konfliktuale të vendit, Borisov merr pjesë në këto zgjedhje si kandidati kryesor i së djathtës, e cila nga sondazhet parazgjedhore ka pothuajse të njëjtën kuotë popullariteti me socialistët.

Partitë e tjera që pritet të kalojnë kufirin e 4% të votave, të nevojshëm për të marrë pjesë në Parlament, janë Lëvizja për të Drejta dhe Liri, përfaqësuese e minoritetit turk (12% e popullsisë bullgare), partia e ekstremit të djathtë “Ataka” dhe partia centriste e Bullgaria për Qytetarët.

Më shumë se 250 vëzhgues ndërkombëtare po monitorjnë ndërkohë këto zgjedhje.

Top Channel