Ish-kryeministri i Maqedonisë, Lubço Georgievski, ka parashikuar se vendi mund të bankrotojë në vitin 2015, nëse qeveria nuk ndryshon politikat ekonomike dhe nuk heq dorë nga projektet joproduktive, për të cilat shpenzohen miliona euro, të siguruara edhe nga borxhet e jashtme.

Këto komente ish-kryeministri maqedonas i ka bërë vetëm disa ditë pas borxhit më të ri prej 138 milionë eurosh që mori Qeveria në formë të obligimeve shtetërore dhë në këtë mënyrë borxhi i përgjithshëm i Maqedonisë përbën rreth 33 për qind të Bruto-Prodhimit Vendor.

Duke folur për borxhin në rritje të Maqedonisë, Georgievski ka thënë se pushteti aktual po e fut vendin në borxhe shumë të larta për të ndarë pensionet dhe subvencionet. Sipas tij, kjo nuk ka qenë praktikë në të kaluarën, sidomos gjatë kohës që ai ka drejtuar qeverinë, nga viti 1998-2002.

Vetëm gjatë tre viteve të fundit, borxhi i Maqedonisë ka shënuar rritje për 1 miliard euro. Më së shumti borxhe janë marrë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, nga institucione e banka të huaja, por borxh është marrë edhe nga bankat e vendit dhe kompani të ndryshme.

Pavarësisht këtyre të dhënave, të cilat janë vlerësuar si shqetësuese nga ekspertët, ministri i Financave, Zoran Stavreski, vlerëson se ekonomia dhe buxheti i Maqedonisë janë gjendje të mirë.

Top Channel