Shefi i delegacionit të Bashkimit Evropian në Serbi, Vincent Degert ka
deklaruar se nuk ka shumë kohë për përcaktimin dhe harmonizimin e një
plani të besueshëm për zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit.

“Koha po kalon dhe të dyja palët duhet të bëjnë përpjekje maksimale që sa më parë të arrihet kompromisi”, ka thënë Degert për gazetën serbe “Veçernje Novosti”.

Ai ka kujtuar se edhe me marrëveshjet e mëparshme janë krijuar probleme kur nuk janë zbatuar, por është shprehur optimist për arritjen e një akordi mes palëve.

“Gjithmonë janë gjetur zgjidhje në mënyrë që marrëveshjet të zbatohen në praktikë. Jam i bindur se tani, nëse ekipet nuk do të pajtohen për planin e zbatimit, do të jetë i nevojshëm një arbitrazh shtesë në nivel më të lartë politik”, ka thënë Degert.

Deklarata e fundit e diplomatit evropian vjen pas asaj të bërë javën e kaluar, kur tha se, nuk mund të lejohet që Serbia të sjellë brenda në BE-së një “konflikt të pazgjidhur”.

“Nuk duam ta shohim Serbinë anëtare të BE-së me probleme të pazgjidhura me fqinjët. Ndaj insistojmë që Beogradi dhe Prishtina të diskutojnë për problemet dhe të gjejnë zgjidhje të qëndrueshme, që do të lehtësonin jetesën e qytetarëve në të dy vendet. Nuk duam të sjellim konflikte në BE, duam që problemi të zgjidhet para anëtarësimit”, tha Degert.

Ai theksoi se, askush nuk po kërkon që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës, por vetëm të normalizojë marrëdhëniet me të.

Top Channel