Numri dy i qeverisë serbe, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se hendeku mes
qeverisë së Beogradit dhe serbëve të veriut nuk është shumë i madh.

Megjithatë, i cituar nga mediat serbe, Vuçiç ka vlerësuar se kjo nuk do të thotë se serbët e Kosovës do ta pranojnë lehtë marrëveshjen e 19 prillit.

“Besoj fuqishëm se në ditët e ardhshme do të marrim një vendim të përbashkët, në të mirë të të gjithë kombit”, ka thënë Vuçiç. Ai është shprehur se, takimi i së dielës me serbët e Kosovës tregoi se ata i besojnë shtetit të tyre.

“Fëmijët serbë nëpër shkolla nuk do të mësojnë sipas programeve shqiptare, ndërsa në pjesën veriore nuk do të shkelë kurrë ushtria shqiptare”, ka thënë Vuçiç.

Më tej zëvendëskryeministri ka shtuar se, me këtë marrëveshje Perëndimi pranon ekzistencën e bashkësisë së komunave serbe.

Prishtina dhe Beogradi arritën muajin e kaluar në Bruksel marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, por zbatimi i saj ka ngecur dhe për një gjë të tillë palët kanë fajësuar njëra-tjetrën.

Pala kosovare akuzon atë serbe se interpreton sipas interesave të saj marrëveshjen e 19 prillit, ndërkohë që të njëjtën akuzë Beogradi ia atribuon Prishtinës zyrtare.

Pas dështimit të negociatave në nivel zyrtarësh, palët pritet ta zgjidhin situatën përmes një takimi në nivel kryeministrash, që pritet të mbahet më 21 maj.

Top Channel