Berisha: Do heqim vizat me SHBA

14/05/2013 00:00

Pas Tiranës, kryeministri Sali Berisha çeli fushatën elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit në qytetin e Durrësit, ku prezantoi kandidatët e Partisë Demokratike për këtë qark.

I pari, që mori fjalën para mbështetësve të PD-së, ishte kryesuesi i listës së Durrësit, Eduard Halimi, ndërsa pas tij folën Igli Cara dhe Oerd Bylykbashi.

Duke u zotuar se, për deputetët e djathtë, i pari është qytetari, kryeministri Berisha tha se prioritet kryesor i koalicionit, që ai drejton, është punësimi i shqiptarëve dhe integrimi në Bashkimin Europian.

“Si ka mundësi, 22 vjet me radhë, të gjitha ngjarjet e mëdha të integrimit, anëtarësimi në Këshillin e Europës, anëtarësimi në NATO, firmosja e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), liberalizimi i vizave, propozimi i statusit të vendit kandidat, të lidhen vetëm me emrin e Partisë Demokratike. Jo vëllezër, ne nuk kemi qenë për 22 vite në pushtet, ne kemi njohur pushtetin dhe opozitën dhe kemi qëndruar në mbështetje të fuqishme të integrimit të Shqipërisë”, tha Berisha.

Duke iu referuar historisë së proceseve integruese të vendit, Berisha sulmoi alternativën e liderit socialist, Edi Rama, të cilën e quajti bllokuese. Kryeministri shkoi edhe më tej, duke premtuar heqjen e vizave me Shtetet e Bashkuara, në mënyrë që shtetasit shqiptarë të lëvizin të lirë në të gjithë botën.

“Në tetor të vitit që kaloi, Komisioni Europian votoi për të rekomanduar Shqipërinë për statusin e vendit kandidat. Kërkoi të votohen 3 ligje. Zoti Rama, në zbatim të testamentit të etërve të tij, i mban peng 250 ditë dhe nuk i votoi. Kjo është alternativa e hipokrizisë, e mashtrimit, e trillimit, ndaj dhe ne do ecim përpara për integrimin e Shqipërisë, të Durrësit. Me reforma të thella ne hoqëm vizat me Europën, me reforma të thella do heqim vizat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ju do lëvizni të lirë në mbarë botën”, shtoi Berisha.

Më herët, kryeministri inauguroi fillimin e punimeve për portin e ri të peshkimit, në qytetin e Durrësit, ku sulmoi kreun e bashkisë, Vangjush Dako, se prej vitesh ka bllokuar projektin e financuar nga Banka Islamike.

Top Channel