Agjencia e vlerësimit FITCH ka rritur me një shkallë nivelin e vlerësimit për ekonominë greke, nga CCC në B-.

Sipas agjencisë, perspektiva e ekonomisë greke mbetet e qëndrueshme. Ky vlerësim pozitiv për Greqinë vjen si rezultat i riorganizimit, stabilizimit dhe ribalancimit të ekonomisë greke, thonë specialistët e FITCH.

Në raportin shpjegues, agjencia thekson se Greqia ka bërë përparim të qartë në uljen e defiçitit të saj, me gati 9% në katër vitet e fundit, ndërsa programi i rregullimit ekonomik po gjen terren pjellor, për shkak të stabilitetit politik dhe social në vend.

Gjithashtu, thuhet se risku i daljes së Greqisë nga zona e euros është reduktuar në minimum. Nga ana tjetër, analistët e agjecisë pohojnë se ulja e prodhimit dhe rritja e papunësisë pengojnë zhvillimin ekonomik dhe se Greqia mbetet shumë e ndjeshme e në një pozicion kritik, që mund të ndryshojë në çdo çast, ndaj duhet qëndrueshmëri në zbatimin e reformave dhe masave që kanë propozuar kreditoret.

Zgjedhja e Greqisë si vend për pushime, nga 17 milionë turistë sivjet, dhe vlerësimi i Fitch janë vetëm disa prej shenjave pozitive për vendin, ka theksuar kryeministri Samaras, i cili viziton Kinën në orët e ardhshme, i shoqëruar nga disa ministra të kabinetit të tij dhe nga një grup prej 60 biznesmenësh, me qëllim rritjen e marrëdhënieve tregtare dhe thithjen e investimeve të huaja prej gjigandit aziatik.

Në kthim, kryeministri Samaras do të ketë edhe një ndalesë në Baku të Azerbajxhanit, ku midis të tjerash do të bisedojë për gazsjellësin e Adriatikut, TAP, që mbështetet nga Athina, Tirana e Roma.

Top Channel