Durrës, sekuestrohen 458 kg marijuanë me destinacion Italinë

15/05/2013 00:00

Policia kufitare e Portit të Durrësit ka sekuestruar mbrëmjen e djeshme
rreth 458 kilogramë kanabis sativa si dhe ka vënë në pranga një
35-vjeçar si posedues të saj.

Sasia e madhe e lëndës narkotike u sekuestrua ne kamionin frigorifer me targa të kokës TR 6058 K, i cili do të imbarkohej në tragetin e linjës për në Bari të Italisë.

Lënda narkotike, kanabis sativa u gjet nga policia e fshehur në pjesën e tavanit të trajnerit, e ndarë në 266 pako cilindrike.

Policia arrestoi në flagrancë drejtuesin e mjetit, shtetasin Lulëzim Vataj, 35 vjeç, banues Tiranë.

Ai u vu nën akuzë për “trafikim të lëndëve narkotike në bashkëpunim”. Ndërkohë, policia vijon hetimet për zbulimin e plotë të rrjetit të trafikimit, vendin e origjinës dhe destinacionin përfundimtar të drogës.

Top Channel