Një arratisje spektakolare është verifikuar të martën në një burg të
Lozanës, në Zvicër, prej nga janë larguar një shtetas serb, një
shqiptar, një boshnjak, një kosovar dhe një francez.

Sipas raportimeve të mediave kosovare, ideator i arratisjes ka qenë i burgosuri serb, anëtar i bandës së njohur kriminale Pink Panther, autore e një seri grabitjesh në vende të ndryshme të botës.

Arratisja ka ndodhur gjatë orës së ajrisjes së të dënuarve, të cilët janë ndihmuar nga disa bashkëpunëtorë nga jashtë burgut.

Këta të fundit, sipas burimeve, kanë vendosur një shkallë të gjatë metalike në muret rrethuese të burgut dhe kanë hedhur brenda kompleksit një thes me armë.

Të pajisur me armët në fjalë, një pistoletë dhe mjete të tjera, të burgosurit kanë mundur të neutralizojnë gardianët dhe janë larguar. Vetëm njëri prej tyre, i cili nuk dihet me saktësi se kush është, është kapur nga gardianët gjatë arratisë.

Pas largimit, policia e kantonit të Vaudit ka angazhuar një numër të madh agjentësh që kanë nisur një gjueti të vërtetë për kapjen e të burgosurve, të cilët ishin dënuar për krime të rënda.

Mësohet se shtetasi serb ishte dënuar për grabitje bizhuterish me vlerë 1.3 milion franga, shqiptari për trafik droge, kosovari dhe boshnjaku për grabitje, ndërsa francezi për krime të tjera të rënda. Ata janë të moshave 45, 34, 31, 22 dhe 47 vjeç.

Top Channel