Policia kroate arrestoi gjatë së mërkurës 25 persona, në kuadrin e një operacioni madhor kundër rrjeteve të trafikimit të personave.

Arrestimet në Kroaci, të përqendruara në tre qendrat më të mëdha të vendit, kreqytetin Zagreb e qytetet Osijek e Split, vijnë pasi në të njëjtën javë, policia boshnjake arrestoi 13 të dyshuar si anëtarë të të njëjtit rrjet madhor trafikimi.

Sipas provave paraprake, organizata kriminale ishte e specializuar në transportimin e paligjshëm të shtetasve të vendeve ballkanike, por edhe kurdëve, sirianëve e afrikanëve, drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Forcimi i kontrollit të kufinjve dhe lufta ndaj emigracionit ilegal ishte një prej kushteve kryesore që iu vendos Kroacisë, përpara se vendi të pranohej si anëtari i 28-të i Bashkimit Europian, vendim që do të hyjë në fuqi më vonë gjatë vitit.

Ky operacion madhor u koordinuar me policinë boshnjake, Interpolin, Policitë Kroate të Anti-Korrupsionit dhe Kontrollit Kufitar.

Top Channel