Futbollistët e Tiranës në protestë

15/05/2013 00:00

Futbollistët e Tiranës vazhdojnë të ngrenë problemin e tyre të pagave, pasi kanë mbi 5 muaj pa u paguar.

Zgjidhjen nuk po ja jep dot administrata e klubit e stërfryrë me të punësuar që sipas lojtarëve vetëm i gënjejnë dhe i zvarrisin problemin, kështu që vetë lojtarët vendosën të shkojnë vetë në dyert e Bashkisë së Tiranës, përgjegjëse për këtë situatë të rëndë aktuale të klubit.

Gilman Lika, një nga kapitenët e skuadrës bardheblu, u shpreh: “Kanë tre javë që po na gënjëjnë dhe menduam që të vijmë vetë të takojmë kryetarin e Bashkisë, ndoshta ai na jep një zgjidhje. Nuk tallet njeri me familjet tona. Kemi sakrifikuar gjithë sezonin dhe duhet të shpërblehet mundi jonë deri në fund.”

Me shumë mundësi, pjesa më e madhe e këtyre lojtarëve nuk do të përfaqësojë në sezonin e ardhshëm fanellën bardheblu, kriza financiare, por edhe pasiguria e Bashkisë së Tiranës që prej mëse 2 vitesh po tregon të njëjtat probleme me pagat, po i shtyn drejt largimit lojtarët bardheblu dhe futjen drejt një krize të thellë të skuadrës së Tiranës, të ngjashme me atë të Partizanit apo Dinamos disa vite më parë.

Top Channel