Presidenti i Bullgarisë, Rosen Plevneliev, do të ndërmjetësojë për formimin e një qeverie, pasi rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme të së dielës u konfirmua këtë të mërkurë.

Duke apeluar për qëndrueshmëri politike, përballë krizës së thellë ekonomike të vendit, Plevneliev shprehu besimin se parlamenti i ri mund të nisë nga puna brenda muajit maj.

Bisedimet e para të presidentit me partitë politike do të nisin të mërkurën.

Rezultatet përfundimtare konfirmuan fitoren e koalicionit të djathtë “Gerb”, të udhëhequr nga ish-kryeministri Boiko Borisov.

Megjithatë, me vetëm 30,5% të votave të grumbulluara, Borisov duhet të gjejë një mënyrë për të formuar një koalicion me bazë të gjerë, nëse dëshiron të udhëheqë vendin sërisht në katër vitet e ardhshme.

Blloku i koalicionit të majtë, i udhëhequr nga socialistët, u rendit i dyti në zgjedhje me 26,6%.

Vetëm dy parti të tjera arritën të kalonin kufirin e pjesëmarrjes në Parlament, Lëvizja për të Drejta dhe Liri e pakicës turke me 11,3% të votave dhe ultranacionalistët e “Ataka”-s, me 7,3%.

Protesta masive popullore kundër standartit të ulët të jetesës dhe korrupsionit të gjithëpërhapur detyruan partinë e qendrës së djathtë të kryeministrit Boiko Borisov që të jepte dorëheqjen në muajin shkurt, duke forcuar këto zgjedhje të parakohshme.

Aktualisht, vendi më i varfër i Bashkimit Europian është në një recesion të thellë ekonomik dhe reforma të menjëhershme janë bërë të domosdoshme për të përmirësuar këtë gjendje.

Top Channel