Beckham tërhiqet nga futbolli

16/05/2013 00:00

Ish-lojtari i Manchester United, Real Madrid dhe LA Galaxy, David Beckham tërhiqet nga futbolli i luajtur.

Vendimin e vështirë e bëri publik vetë ish-kapiteni i Anglisë, që për vite me radhë shkëlqeu në fushën e blertë duke u shndërruar në njërin prej futbollistëve më të talentuar dhe të paguar në botën e futbollit vitet e fundit.

Aventura e tij e fundit është kampionati francez. Ai në muajin janar nënshkroi një kontratë 5-mujore me PSG ku përfitoi një pagë të majme, të cilën njoftoi se do të dhuronte që të gjithën për bamirësi.

Hapat e parë si futbollist, “Spice Boy”, sot 38 vjeç, do t’i hidhte në moshën 14-vjeçarëve kur do t’i bashkohej Manchester United të Sir Alex Ferguson. Me fanelën e Djajve ai luajti 398 ndeshje, fitoi gjashtë tituj kampionë të Premier Ligës dhe një Ligë Kampionesh, atë të 1999 kundër Bajernit të Mynihut.

Në vitin 2003 u transferua për na kampionatin spanjoll tek Reali i Madridit me të cilin fitoi La Ligan në vitin 2007, para se t’i bashkohej LA Galaxy në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që pati edhe një aventurë të shkurtër në Serinë A me Milanin, ku u transferua në pushim të kampionatit amerikan.


Debutimin me fanelën e kombëtares angleze e bëri që në vitin 1996 në ndeshjen kundër Moldavisë. Në vitin 2000 mori shiritin e kapitenit të “Tre Luanëve”, shirit që e mbajti deri në vitin 2006. Paraqitjen e fundit me fanelën e Anglisë e regjistroi në fitoren 3-0 përballë Bjellorusisë në vitin 2009, në total 115 ndeshje.

Top Channel