Zëvendëspresidenti i SHBA, Joseph Biden ka takuar në Uashingtonn kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç të cilin e ka uruar për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës.

“Kjo marrëveshje mbart shpresën e avancimit të aspiratave evropiane për të dyja vendet, si dhe për të garantuar një të ardhme prosperuese dhe paqësore për qytetarët e tyre”, ka thënë Biden.

Sipas një komunikate për shtyp nga zyra e tij, zëvendëspresidenti amerikan ka ritheksuar gjithashtu nevojën që marrëveshja në fjalë të gjejë sa më parë zbatimin në terren.

“Është me rëndësi që Serbia dhe Kosova të punojnë me ngulm për të përmbushur zotimet e dialogut dhe të zbatojnë plotësisht marrëveshjen. Inkurajojmë të dyja palët që të shfrytëzojnë këtë shans historik për të çuar përpara vendet e tyre”, citohet të ketë thënë zoti Biden.

Gjithashtu, numri dy i Shtëpisë së Bardhë ka konfirmuar angazhimin e Shteteve të Bashkuara për një partneritet dypalësh të fortë dhe në rritje me Serbinë.

Nga ana tjetër, vijon deklarata për shtyp, kryeministri serb ka treguar përkushtimin e qeverisë së tij për të marrë hapat e duhur për zbatimin e marrëveshjes me Kosovën.

Në një komunikim me mediat pas takimit, Daçiç ka thënë se, Serbia ka marrë mbështetjen e Amerikës për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit, si dhe premtimin që nëse ajo zbatohet, Uashingtoni do të përdorë ndikimin e vetë te vendet anëtare të BE-së për t’i dhënë Serbisë datën e fillimit të bisedimeve për anëtarësim.

Top Channel