Në qytetin e Gostivarit u zhvillua një protestë kundër kryetarit të ri të komunës, Nevzad Bejta. Protesta u organizua nga deputetët dhe këshilltarët komunalë të partisë Rilindja Demokratike Kombëtare, e cila në katër vitet e kaluara ka drejtuar këtë komunë. Ata akuzuan kreun e ri të Komunës, zotin Nezvad Bejta për revanshizëm politik.

“Protestojmë kundër një revanshizmi të egër dhe të paparë politik dhe etnik, që tejkalon përmasat e diferencimeve më të egra të komunizmit dhe marksizëm-leninizmit. Protestojmë kundër politizimit të skajshëm të arsimit publik, administratës komunale, kopshteve për fëmijë dhe çdo institucioni nën kompetencat e qeverisjes lokale”, deklaroi Vesel Mehmeti, këshilltar i RDK-së.

Por kreu i komunës, Nevzad Bejta hodhi poshtë akuzat e RDK-së dhe ftoi drejtuesit e kësaj partie të mos manipulojnë më personat të cilët kanë qenë të punësuar përkohësisht dhe të cilëve u kanë mbaruar kontratat.

“Ata kanë qenë të punësuar në bazë të vullnetit të kryetarit i cili është në ikje. Ai ka bërë keqpërdorim dhe financimin e atyre punëtorëve. Dihet se si punësohen punëtorët”, deklaroi Bejta.

Ndërkohë, edhe pse ka kaluar rreth një muaj pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, në komunën e Strugës dhe atë të Tetovës ende nuk janë zgjedhur kryesuesit e Këshillave Komunale për shkak të pamundësisë së partive për të arritur marrëveshje për krijimin e shumicës.

Nga burime jozyrtare mësohet se, partia maqedonase VMRO-DPMNE për të bërë koalicion me BDI-në në Këshillin Komunal të Tetovës, përveç disa drejtorive, po kërkon edhe ngritjen e një kishe në qendër të qytetit, gjë që për partinë shqiptare është e papranueshme.

Top Channel