Klimë tepër optimiste kanë krijuar në Athinë takimet e kryeministrit Samaras në vizitën e tij katërditore në Kinë, me udhëheqjen e lartë të vendit.

I shoqëruar nga 73 biznesmenë, disa ministra të kabinetit të tij dhe nga kreu i agjencisë së privatizimeve, Samaras i ka kërkuar homologut të tij kinez, Li Keqiang, forcimin e marrëdhëneive me ekonominë e dytë më të madhe në botë.

Sipas kryeministrit kinez, Greqia shihet nga Kina si një mik dhe partner i besueshëm dhe dy vendet që janë fuqi globale detare mund të punojnë së bashku për të përballuar sfidat, duke synuar të arrijnë në vitin 2015 shkëmbime tregtare me vlerë prej 8 miliardë eurosh.

Ai i ka kërkuar qeverisë greke të reduktojë burokracinë dhe të lehtësojë proçedurat e vizave për turistët kinezë.

Ndërsa Samaras ka theksuar se edhe Greqia është e gatshme për bashkëpunim në fusha të ndryshme, si turizmi dhe kultura dhe u ka bërë të qartë kompanive kineze se jane të mirëpritura për të investuar në Greqi, duke premtuar madje leje qëndrimi pesëvjeçare për çdo biznesmen kinez që do të blejë një pronë me vlerë mbi 250.000 euro.

Pas bisedimeve, Li dhe Samaras morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjeve në sektorët e bujqësisë, tregtisë dhe atë të ndërtimit të anijeve.

Sipas mediave greke, i madh ka qenë interesi i investitorëve kinezë edhe për sektorin e hekurudhave, për blerjen e një pjese të rëndësishme të aksioneve të aeroportit të Athinës dhe të portit të Selanikut.

Nga ana e saj, kompania kineze e anijeve, COSCO Group, që ka bërë një investim të madh në portin e Pireut, pritet të hedhë një propozim të ri për blerjen e 60% të aksioneve të këtij porti, që konsiderohet porta e hyrjes në Europë në fushën e tregtisë dhe që ende 74% e të cilit është nën pronësinë e shtetit grek.

Top Channel