Komunikimi në gjuhën shqipe në qendër të Shkupit u ka kushtuar shtrenjtë dy të rinjve shqiptare. Mbrëmjen e së shtunës, në parkun e kryeqytetit në afërsi të stadiumit ‘Filipi i Dytë’, dy shqiptarë janë rrahur brutalisht nga një grup huliganësh vetëm pse janë dëgjuar duke biseduar shqip.

Pas lëndimeve të rënda trupore, ata janë dërguar në spital ku u është ofruar ndihmë mjekësore dhe më pas janë lëshuar për kurim shtëpiak. Nga frika se dhuna ndaj tyre mund të përsëritet, ata nuk kanë pranuar të flasin para kamerave, ndërsa njëri nga personat e sulmuar është pajtuar që t’i incizohen vetëm shenjat e dhunës.

Rastin e dhunshëm ndaj të rinjve shqiptarë e ka konfirmuar kryeshefja e policisë, Gordana Jankullovska, e cila tha se Ministria e Brendshme për të parandaluar këto raste ka ndërmarrë iniciativë për ashpërsimin e sanksioneve kundër atyre që ushtrojnë dhunë: “Ministria e Brendshme jo vetëm që apelon, por edhe ndërmerr masa konkrete me ngritjen e padive te duhura, por edhe me iniciativa për ndryshimin e rregullativës ligjore dhe ashpërsimin e sanksioneve për këto incidente. Ju jeni të informuar se ndaj ashpërsimit të sanksioneve kishte reagime, por dua t’ju bëj me dije të gjithë atyre që shkaktojnë incidente nëpër fushat sportive apo në rrugë se aktivitetet tona preventive për zvogëlimin e dhunës, nuk do të ndalen.”

Edhe përkundër gadishmërisë deklarative dhe premtimeve të drejtuesve të institucioneve për hartimin e strategjive për parandalimin e dhunës, vetëm këtë vit janë shënuar dhjetëra raste ku të rinjtë shqiptarë janë rrahur në mes të Shkupit dhe janë kërcënuar me jetë edhe nëpër shtëpitë e tyre.

Top Channel