Gjermania nuk është e kënaqur ende që Serbia të fillojë bisedimet për
integrim me BE-në.Pas sinjaleve të para nga Bundestagu gjerman, shefi i
diplomacisë, Guido Vestervelle, ka theksuar se varet nga shumica e
partive dhe jo nga qeveria, nëse do të votohet pro Serbisë.

Por, kërkesa gjermane me sa duket është zbatimi i marrëveshjes dhe hapat konkretë lidhur me zbatimin e saj.

Vestervelle, gjatë vizitës së tij në kryeqytetin serb ku ka takuar krerët e shtetit, ka thënë në një konferencë se perspektiva evropiane njeh vetëm fituesit.

“Serbia mund të bëjë mirë për Evropën, por edhe Evropa për Serbinë. Është e rëndësishme që në këto orë historike të merren vendime të drejta. Marrëveshja e 19 prillit është historike, por tani është e rëndësishme të bëhen hapa konkretë për zbatimin e saj“, ka thënë ministri gjerman.

Sipas tij, Serbia ka mundësi unike që njëherë e përgjithmonë të niset drejt BE-së dhe kjo do të hapte një perspektivë për gjeneratat e reja.

Ndërkohë, presidenti serb Tomisllav Nikoliç ka deklaruar se Serbia është e përkushtuar për zgjidhjen e problemit të Kosovës dhe në përparimin e mëtejshëm drejt BE-së.

Por nga ana tjetër ai ka thënë se, “Beogradi nuk do të mashtrojë partnerët evropianë, duke premtuar diçka që nuk mund të përmbushë”.

Sipas mediave serbe, Nikoliç në këtë mënyrë ka vënë në dukje se Serbia nuk do të njohë kurrë pavarësinë e Kosovës.

Top Channel