Opozita në Malin e Zi ka vendosur të bojkotojë në bllok ceremoninë e nisjes së mandatit të presidentit Filip Vujanoviç, i akuzuar prej tyre si manipulues i zgjedhjeve.

Filip Vujanoviç, i cili ka mbajtur edhe më parë rolin e presidentit e kryeministrit të fqinjit tonë verior, fitoi në zgjedhjet e muajit prill, ndërsa fitorja e tij u konfirmua edhe pas një apeli në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve.

Ditën e hënë, në shtypin malazes, u publikua një letër e hapur e kryetarit të koalicionit opozitar “Lëvizja për Ndryshim”, Medojeviç, i cili i bënte një thirrje Vujanoviçit që të mos paraqitej në ceremoninë zyrtare që do të mbahet në Cetinje, ish-kryeqytetin mbretëror të Malit të Zi.

Sipas Medojeviç, “kjo është mundësia e vetme që Vujanoviç të vazhdojë të ruajë integritetin e tij personal”.

Vujanoviç fitoi një mandat të tretë në zgjedhjet e 7 prillit, duke grumbulluar 51,21% të totalit të votave, përballë kandidatit të opozitës, ish-kryeministrit Miodrag Lekiç, me 48,79%.

Megjithatë, opozita hodhi dyshime mbi parregullsi në numërimin apo regjistrimin e rreth 7-20 mijë votave, të cilat potencialisht, mund të ndryshonin rezultatin në favor të kandidatit humbës.

Top Channel