Ekspertët: BSH të ulë normën e interesit

20/05/2013 00:00

Ekspertët mendojnë se Banka e Shqipërisë duhet të jetë më agresive në
uljen e interesave duke ndjekur shembullin e bankave qendrore në Europë
dhe SHBA.

“Duke parë situatën ku jemi dhe duke parë dhe situatën çfarë po ndodh në Europë, ku normat bazë të interesit janë relativisht shumë të ulëta 0.5, 0.25 për qind dhe ku inflacioni është rreth 1.7 për qind, do të ishte e rekomandueshme që BSH ta vazhdojë këtë trend, ndoshta më një ritëm pak më të përshpejtuar, për të arritur në norma shumë të ulëta bazë të interesit”, thotë Edvin Libohova, ekspert i sistemit bankar.

Zoti Libohova, ish-drejtues i një prej bankave private më të mëdha në vend, thotë se ulja më tej e normës bazë do sillte përfitime për ekonominë në disa drejtime.

“Në radhë të parë do të ulte çmimin e parasë që bankat grumbullojnë nga qytetarët. Në radhë të dytë, buxheti i shtetit do të përfitonte për të mbuluar defiçin buxhetor, para më të lira dhe mbi të gjitha do të ndihmonte kreditimin e ekonomisë. Vërtet sot ka një ngërç në kreditimin e ekonomisë që vjen si rezultat jo i mospasjes së likuiditetit të bankave, por vetë situata ekonomike ka bërë që edhe biznesi të jetë më i tkurrur, në drejtim të kërkesës për kredi. Një ulje e çmimit të kredisë ndoshta do t’i nxiste”, thotë Libohova.

Vitin e kaluar Banka e Shqipërisë e uli disa herë normën bazë deri ne minimumin historik 3.75 për qind.
Lehtësimi ka ulur koston për borxhin e Qeverisë, por pa mundur të rigjallërojë kredinë për privatët. Libohova thotë se ka ardhur koha që Banka të dalë nga roli tradiconal dhe të provojë masa të reja për të nxjerrë ekonominë nga kriza.

“Ndoshta këtu mund të ketë edhe inisiativa të tjera që bankat qendrore, ose banka jonë qendrore mund të marrë duke ofruar pranë bankave të nivelit të dytë, fonde të dedikuara për zhvillimin ekonomik me çmim shumë të ulur, gjë që mund të jetë një gjë e pandodhur deri më sot, por që nëse nevojat e ekonomisë e kërkojnë është një gjë që mund të bëhet dhe mund të jetë për një periudhë afatshkurtër”, thotë Libohova.

Kriza i ka detyruar shumicën e bankave qendrore më të mëdha në botë, të ndërmarrin politika të paprovuara më parë për të rigjallëruar ekonominë. Në SHBA, Japoni dhe Angli, përveç injektimit masiv të parasë në treg, bankat qendrore kanë ngritur skema të posaçme për të nxitur bankat private të kreditojnë biznesin.

Top Channel