Komiteti i Helsinkit për të drejtat e njeriut në Maqedoni ka konstatuar se gjuha e urrejtjes që po gjen përdorim gjithnjë e më të madh në shoqëri, ka filluar të prodhojë krime që nxiten nga urrejtja mes dy komuniteteve më të mëdha në vend.

“Nga muaji mars i këtij viti kemi regjistruar 35 incidente. Unë do te kujtoj atë ndaj një fëmije 13 vjeç me origjinë shqiptare, që është dhunuar, vetëm pse nuk pranoi të puthte nje kryq të cilin ia kanë dhënë tre maqedonas. Për këtë arsye ata e rrahën fëmijën dhe e prenë me thikë në fytyrë. Për fat të keq autorët e këtij krimi ende janë të panjohur për policinë, siç ndodh në shumicën e rasteve kur bëhet fjalë për krime nga urrejtja”, ka deklaruar Vojisllav Stojanovksi, Komiteti Maqedonas i Helsinkit.

KMH vlerëson se institucionet në Maqedoni nuk i kualifikojnë si duhet krimet që shkaktohen nga urrejtja, ndërsa gjykatat japin dënime të buta për këto vepra, gjë që çon në përsëritjen e incidenteve.

“Problemi qëndron tek policia, e cila kundër autorëve të këtyre veprave ngre padi penale për ushtrimin e dhunës dhe ky nuk është kategorizimi i duhur, sepse motivet e vërteta të incidenteve ndëretnike janë urrejtja dhe krimi dhe kjo është formë më e rëndë e veprës penale, ndaj si e tillë duhet të sanksionohet”, ka nënvizuar Stojanovski.

Sipas drejtuesve, të Komitetit të Helsinkit, dënimi më i lartë që është shqiptuar deri më tani për incidentet entike është 5 muaj burg, ndërsa më në të shumtën e rasteve gjykatësit kanë dhënë dënim me kusht për autorët e incidenteve.

Komiteti i Helsinkit po ashtu ka vëretje edhe për hezitmin e incitucioneve për të zbardhur shumicën incidenteve të tilla.

Top Channel