Lotaria amerikane, drejt fundit?!

20/05/2013 23:50

Mijëra vetë në mbarë globin mbajnë frymën në këtë periudhë të vitit dhe presin listat e fituesve të lotarisë amerikane.

Maji është koha, kur Departamenti i Shtetit publikon emrat e tyre: rreth 55.000 vetë, që pajisen me vizë të përhershme rezidenciale, bileta për mundësinë e nënshtetësisë.

Por, ka gjasa, që një periudhë e tillë, vitin e ardhshëm, të mos ekzistojë më. Zëri i Amerikës thotë se lotaria e Green Card-it, e njohur zyrtarisht si Diversity Visa Program, mund të mbyllet, nëse Kongresi miraton versionin e tanishëm të planit dy-partiak të reformës së imigracionit.

Lotaria e vizave u themelua si një mënyrë, për t’i dhënë shansin të interesuarve të jetojnë e punojnë në Shtetet e Bashkuara.

Por, në vend të saj, plani i ri i reformës së imigracionit do të përqendrohet në tërheqjen e fuqisë punëtore të arsimuar në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë.

Idenë e një sistemi të tillë lotarie e hodhi ish-senatori, Edëard Kennedy, në vitin 1990, si mënyrë për t’i dhënë mundësinë njerëzve nga shtetet europiane dhe vende të tjera, me kuota të ulta emigracioni, që të hyjnë në Amerikë.

Programi është relativisht i vogël me mbi 50 mijë vizat e ofruara në vit, krahasuar me më shumë se një milion leje të përhershme banimi, që jepen për periudhën 1-vjeçare.

Fituesit me fat i nënshtrohen një kontrolli biografie, megjithatë, për t’u kualifikuar, atyre u nevojitet thjesht një diplomë e shkollës së mesme, ose përvojë pune.

Por, sipas planit të propozuar në reformën e imigracionit, që po shqyrtohet nga Kongresi amerikan, nga lotaria e vizave mund të hiqet dorë, për shkak se ligjvënësit kërkojnë zgjerimin e mundësive për personat me një nivel më të lartë arsimimi.

Top Channel