OSBE: Zgjedhjet test për politikën

22/05/2013 00:00

Roberto Batelli, koordinatori special i OSBE-së, i cili do të udhëheqë
misionin afatshkurtër të misionit të vëzhgimit të zgjedhjeve nga ky
institucion në ditën e parë të qëndrimit në Tiranë refuzoi t’i
përgjigjet interesimit të Top Channel për ta intervistuar.

Por Batelli ka preferuar të dërgojë një deklaratë në të cilën thotë: “Këto zgjedhje do të jenë një tjetër test se sa të gatshëm janë aktorët politikë në Shqipëri për të kontribuuar në mënyrë aktive dhe konstruktive për institucionet e vëndit, pavarsisht konkurrencës politike dhe kundërshtimeve rreth interpretimit dhe zbatimit të ligjeve. Objektivi parësor i OSBE-së është dhënia e mundësisë qytetarëve për të matur performancën e garuesve politikë. Njëkohësisht të sigurojë që zgjedhja që do të bejnë qytetarët të jetë jo e paragjykuar gjatë procesit elektoral. Një fushatë elektorale e mbushur me pretendime për parregullsi elektorale do të shërbente si një çrregullim i mëtejshëm tek votuesit, njëkohesisht pengesë për Shqipërinë në rrugën drejt BE-së”.

Gjatë qëndrimit në Tiranë Batelli do të takohet me Kryeministrin Berisha, kreun e opozitës Rama dhe zyrtarë të tjerë të përfshirë në procesin zgjedhor.

Raporti final për zgjedhjet e 23 Qershorit do të hartohet nga misioni afatshkurtër i vëzhguesve, që është nën vartësinë e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, e cila kryesohet nga austriaku Wolfgang Grossruck.  Roberto Batelli, deputet slloven me origjinë italiane prej dy mandatesh mban postin e shefit të Thesarit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së dhe dyshimet për afërsinë mes tij dhe Grossruck shtohen pasi Batelli ka vizituar në vitin 2010 Shqipërinë dhe është deklaruar pro raportit dhe vlerësimeve të Grossruck për zgjedhjet e 2009-ës në Shqipëri, që i konsideroi të rregullta. Mbështetjen për raportin e Grossruck, Batelli e ka bërë edhe publike në faqen zyrtare të OSBE-së, pas vizitës dhe takimit me Kryeministrin Berisha në atë kohë.  Pikërisht Roberto Batelli është caktuar si personi që do të paraqesë raportin paraprak të zgjedhjeve në datën 24 qershor. Jashtë kamerës Batelli i tha Top Channel se ai nuk duhet të paragjykohet. “Prisni raportin dhe atëherë jepni vlerësimin tuaj” theksoi ai.

Top Channel