“Spitalet private mashtrojnë”

23/05/2013 00:00

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve deklaroi se ka dyshime të forta se
spitalet dhe klinikat shëndetësore private po fshehin taksat masivisht.

“Vetëm Drejtoria Rajonale Tatimore Tiranë, sektori i Shërbimeve Shëndetësore Private përfaqëson 4 për qind të totalit të Tatim Paguesve të regjistruar për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe disa prej tyre vazhdojnë të deklarojnë xhiro vjetore nën 2 milionë lekë”, thotë Erjon Prifti, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve.

Veç shëndetësisë, tatimet kanë dyshime për evazion edhe tek kompanitë e ndërtimit dhe ato të hoteleri-turizmit.

“Këta sektorë gjatë vitit 2012 kanë shfaqur nivel pajtueshmërie të ulët me ligjin,shmangie nga detyrimi për të deklaruar e paguar realisht aktivitetin e tyre ekonomik dhe pasqyrimin e drejtë të tij”, tha Prifti.

Tatimet i bëjnë thirrje këtyrë kompanive që të tërheqin mbrapsht bilancet e dorëzuara dhe t’i korrigjojnë ato në të kundërt do përballen me masa të forta ndëshkimore.

“Ju është bërë thirrje që brenda datës 30 qershor të vitit 2013 të korrigjojnë deklaratat e tyre, në mënyrë që në mënyrë të shmangin penalizimet gjatë veprimeve që do të ndërmarrë më vonë administrata tatimore”, tha Prifti.

Për herë të pas disa vitesh buxheti po përballet me rënie të të ardhurave nga taksat. Në katër muajt e parë, të këtij viti u mblodhën rreth 30 milionë dollarë më pak se viti i kaluar dhe rënia më e fortë është pikërisht te Tatimi mbi Vlerën e Shtuar.

Top Channel