Nga 30 ditë arrest shtëpiak është masa që u ka caktuar gjykatësi i
EULEX-it 7 ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga rajoni i Drenicës. Ai ka hedhur
poshtë kërkesën e prokurorit italian të EULEX-it, Maurizio Salustro,
për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh.

Një vendim i tillë është dhënë në ora 2 të ditës së shtunë dhe bëhet fjalë për 7 ish-pjesëtarët e UÇK-së: Sylejman Selimi, aktualisht ambasador i Kosovës në Tiranë, Sami Lushtaku, kryetar i Komunës së Skënderajt, pastaj Sahit Jashari, Avni Zabeli, Zeqir e Jahir Demaku dhe Hysni Thaçi.

Qytetarë të shumtë, në mesin e të cilëve edhe deputetë të Partisë Demokratike të Kosovës, që po prisnin vendimin që nga ora 15 e së premtes, kanë duartrokitur teksa komandantët e UÇK-së kanë dalë nga Gjykata Themelore dhe janë shoqëruar për në shtëpitë e tyre.

Këta ish-pjestarë të UÇK-së dyshohet se kanë kryer krime lufte gjatë periudhës së luftës në Kosovë. Tomë Gashi, avokat i ambasadorit të Kosovës në Tiranë, Sylejman Selimit, i cili gjatë periudhës së luftës njihej me nofkën “Sulltani”, e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe skandal juridik dhe ka bërë të ditur se do ta ankimojnë atë.

“Besoj se ky vendim është shumë i padrejtë. Është një skandal juridik sepse nuk ka pasur kurrfarë arsyeje që të caktohet masa e arrestit shtëpiak. Dhe gjyqtari ka mundur të sjellë vetëm një masë më të rendë, siç është paraburgimi i tyre. Besoj se të gjitha provat që janë shqyrtuar në këtë seancë kanë dëshmuar, posaçërisht avokatët mbrojtës por edhe vetë deklarata e komandantit të përgjithshëm të UÇK-së dhe bashkëluftëtarëve të tij, se nuk kanë ndodhur kurrfarë krime në Likovc në kohën të cilën prokurori e përmend. Mendoj që të apelojmë apo të ankohemi ndaj këtij vendimi në ditën e parë të punës së gjykatës që është të hënën”, ka deklaruar Gashi.

Gashi ka folur edhe për dyshimet e prokurorit që janë bërë të ditura në këtë seancë, ndërsa në lidhje me lajmet që kanë qarkulluar nëpër media se ka edhe dyshime në lidhje me vrasjen e një polici serb gjatë kohës së luftës, që njihej për dhunën e ushtruar ndaj shqipatarëve, ai ka thënë se deri më tani nuk kanë pasur njoftime të tilla dhe se nuk dinë nga kanë rrjedhur ato.

“Sipas prokurorit, ka pasur keqtrajtim të civilëve të burgosur në burgun e Likovcit gjatë qershorit të vitit 1998. Sipas prokurorit, të gjithë kanë qënë në bashkëfajësi ose bashkëpunëtorë, por ne e dimë se ajo nuk ka ndodhur dhe prokurori nuk ka pasur gjasa teorike që të provojë diçka që ka ndodhur para 15 viteve. Kjo është vetëm një spektakël i EULEX-it, që është duke e bërë së bashku me Salustron, që ndoshta të tërhiqet vëmendja nga problemet tepër të mëdha që kemi në veri të Kosovës”, nënvizoi Gashi. Sipas avokatëve, prokurori ka përmendur se për këtë rast mund të ketë 6 dëshmitarë të mbrojtur.

Top Channel