Presidenti i Federatës Myslimano-Kroate të Bosnjes është liruar nga
burgu, pas arrestimit të tij muajin e kaluar nën akuzën për korrupsion.

Sipas raportimit të “REL”, Gjykata Kushtetuese vendosi të premten që Zhivko Budimir dhe katër të pandehur të tjerë të liroheshin menjëherë.

Budimir u arrestua së bashku me 19 zyrtarë të tjerë në fund të muajit prill, në një nga nismat e profilit më të lartë kundër korrupsionit në Bosnje, që nga pavarësia e saj dy dekada më parë.

Një gjykatë kishte urdhëruar që Budimir dhe katër ndihmësit e tij të mbaheshin në paraburgim për shkak se disa prej tyre mbanin pasaporta kroate, duke ngritur rrezikun se mund të arratiseshin.

Budimir doli nga burgu në qytetin jugor të Mostarit të premten vonë dhe u mirëprit nga dhjetëra mbështetës e të afërm. Ai është akuzuar se ka marrë ryshfet në këmbim të amnistisë për një numër të caktuar të dënuarish.

Top Channel