Londër, atentatori i lidhur me terrorizmin

26/05/2013 00:00

Menjëherë pas vrasjes së ushtarit britanik 25-vjeçar, Li Rigbi, në “Ull/Uic” të Londrës, mediat shkruan se njëri prej dy atentatorëve nuk ishte i panjohur për shërbimet sekrete, por tani ekziston prova.

“The Sunday Times” dhe “The Telegraph” publikuan një foto, që konfirmon se Majkëll Adebolaxho, 28-vjeçari britanik, djalë i dy nigerianëve, besimtarë të krishterë, ishte arrestuar tre vjet më parë në Kenia.

Së bashku me disa të rinj të tjerë, ai kishte tentuar të kalonte kufirin për t’iu bashkuar grupit militant “Al Shabab” në Somali, i lidhur me Al Kaedën, që besohet të ketë 7000- 9000 luftëtarë.

Qeveria keniane fillimisht mohoi faktin, se 28-vjeçari kishte qëndruar në Kenia, por zëdhënësi i ekzekutivit shpjegoi se ka patur disa ngatërresa, sepse ai ishte arrestuar me një emër tjetër.

Ai u kap me pesë persona të tjerë dhe iu dorëzua Britanisë së Madhe, pasi u mësua se ishte shtetas britanik. 28-vjeçari Adebolaxho dhe një person i dytë, 22-vjeçari Adebouejl, janë të dyshuarit kryesorë për vrasjen e ushtarit.

Deri tani janë kryer nëntë arrestime në Britaninë e Madhe. Policia Metropolitane tha, të dielën, se po shqyrtohen pamjet e kamerave të vendosura në rrugë, mediat sociale, si dhe materialet mjeko-ligjore, për vrasjen e ushtarit britanik.

Top Channel