Ambasadori i Gjermanisë në Beograd, Heinz Wilhelm ka deklaruar se për
Serbinë nuk do të ketë kushte të reja për marrjen e datës së negociatave
të anëtarësimit me BE-në nëse ajo nis zbatimin e marrëveshjes me
Kosovën.

“Nuk do të ketë asnjë kusht të ri që do të dalë nga mënga. Nuk është kusht as njohja e Kosovës nga Serbia, gjë të cilën e kemi përsëritur disa herë”, ka thënë Wilhelm për gazetën “Veçernje Novosti”.

Ai ka nënvizuar se, Serbia është shumë më afër marrjes së datës së negociatave të anëtarësimit pas miratimit të planit të zbatimit, i cili sipas tij është i rëndësishëm për Gjermaninë dhe vendet e tjera të BE-së.

“Por kjo nuk është e gjitha. Duhet të bëhen hapat e parë konkretë në zbatimin e marrëveshjes, në mënyrë që qeveria dhe Parlamenti i Gjermanisë të bien dakord për t’i ndarë Serbisë datën e negociatave”, ka thënë Wilhelm.

Më herët gjatë muajit ishte ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle që i bëri të qartë Beogradit se, Gjermania nuk është ende e kënaqur që Serbia të fillojë bisedimet për integrim me BE-në.

Pas sinjaleve të para nga Bundestagu, shefi i diplomacisë gjermane theksoi gjatë një vizite në kryeqytetin serb se, varet nga shumica e partive dhe jo nga qeveria nëse do të votohet pro Serbisë.

Ai la të kuptohej se kërkesa gjermane lidhej me marrëveshjen dhe hapat konkretë për zbatimin e saj. Westerwelle tha në një konferencë për shtyp se perspektiva evropiane njeh vetëm fituesit.

“Serbia mund të bëjë mirë për Evropën, por edhe Evropa për Serbinë. Është e rëndësishme që në këto orë historike të merren vendime të drejta. Marrëveshja e 19 prillit është historike, por tani është e rëndësishme të bëhen hapa konkretë për zbatimin e saj“, tha ministri gjerman.

Top Channel