Diplomati shqiptar nga Maqedonia, Arsim Zekolli, i bën thirrje
presidentit të Shqipërisë Bujar Nishani që të ruajë dinjitetin e
shqiptarëve në rajon dhe të bojkotojë Samitin e presidentëve në Ohër,
për t’u solidarizuar me presidenten kosovare Atifete Jahjaga, e cila nuk
është ftuar në këtë samit nga kolegu i saj maqedonas Gjorgje Ivanov.

“Gjesti i kryetarëve të Greqisë dhe Bullgarisë dëshmon se në këtë rajon faktorizimi bëhet shpeshherë përmes refuzimit. Pas këtyre gjesteve miqësore nga ana e përfaqësuesve të Shqipërisë, do të kishte qenë mirë që z. Nishani t’i rikujtojë fjalët e veta nga fjalimi dhënë pas zgjedhjes në postin e Presidentit dhe të kujtojë se përgjegjësia e tij nuk ka të bëjë vetëm me cështjet administrative të përfaqësimit, por edhe të kultivimit të ndjenjës së dinjitetit të qytetarëve shqiptarë si në shtetin amë ashtu edhe në rajon”, thotë Zekolli.

Presidenti maqedonas, nuk e ka ftuar kolegen e tij kosovare Atifete Jahjaga në samitin e shefave të vendeve të përfshira në procesin e bashkëpunimit të Evropës Juglindore, që do të mbahet të shtunën në Ohër, me arsyetimin se Kosova nuk është anëtare formale e kësaj nisme. Në këtë samit do të merr pjesë edhe Komisioneri për Zgjerim i BE-së, Stefan Fule, ndërsa dy fqinjët e Maqedonisë, Greqia dhe Bullgaria kanë refuzuar pjesëmarrjen.
 

Top Channel