F1, testet sekrete të Mercedes

28/05/2013 15:35

Kompania e gomave Pirelli zgjodhi skuderinë Mercedes (skuderia që ka pasur më shumë probleme me gomat deri tani) për të testuar gomat e reja që do të përdoren duke filluar nga Cmimi i Madh i Kanadasë. Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) u njoftua për këto testime, por nuk u njoftua se kur dhe si do të bëheshin.

Kjo është pak a shumë situata, por Niki Lauda i Mercedes nuk mendon kështu: “Kur na pyetën nëse donim të testonim gomat, Ross Brawn foli me Whiting për të qenë i sigurtë nëse lejohej një gjë e tillë apo jo. Whiting u konsultua me avokatët dhe na dhanë dritën jeshile. Gjithashtu, Pirelli nuk na kërkoi vetëm neve testime, por edhe Red Bullit.”

Por FIA ia ka lënë tashmë gjithçka në dorë Gjykatës Ndërkombëtare, që ka në krye Jean Todt dhe që është krijuar në vitin 2010 për të zgjidhur çështjet problematike në Formulën 1.

Ende nuk ka një datë për shqyrtimin e kësaj çështjeje, por problemi është më i thellë se kaq. Sipas disa ekspertëve të konsultuar nga ‘AS’, Mercedes mund të ketë një përmirësim rreth 1 sekondë për xhiro nga këto testime, pa përmendur këtu se pilotët e kësaj skuderie (Rosberg dhe Hamilton) janë mësuar tashmë me gomat e reja që pilotët e tjerë do i provojnë për herë të parë vetëm në fundjavën e garës.

Shefi i Red Bull, Christian Horner, ka thënë: “Rregullorja është shumë e qartë dhe nuk ka vend për interpretime. Mercedes ka kryer testime në mënyrë të fshehtë.”

Të shohim çfarë do të ndodhë në ditët në vazhdim…

Top Channel