Sekretari britanik i Punëve të Jashtme William Hague qëndron të enjten
në Beograd, ku do të zhvillojë bisedime me presidentin Tomisllav Nikoliç
dhe me zyrtarë të tjerë.

Sipas raportimeve të mediave serbe, temë e bisedimeve do të jetë padyshim zbatimi i marrëveshjes së 19 prillit, por edhe çështje të tjera me interes të përbashkët.

Pak ditë më parë, Hague mirëpriti nënshkrimin e planit të zbatimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi dhe tha se do angazhohet për implementimin efikas të tij.

“Mirëpres planin e zbatimit, për të cilin janë pajtuar edhe Serbia, edhe Kosova. Përgëzoj kryeministrat Daçiç dhe Thaçi dhe të gjithë ata që ndërmorën një hap drejt përmirësimit të raporteve mes Kosovës e Serbisë”, tha Hague.

Kryediplomati britanik po ashtu nënvizoi gjithashtu se: “Vetëm përparimi real në terren do të jetë garanci për progresin e vazhdueshëm drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe për sigurinë dhe stabilitetin e qytetarëve të Serbisë dhe Kosovës”.

Top Channel