Qeveria e Serbisë ka ngarkuar për zbatimin e marrëveshjes për
normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën kundërshtarin më të madh të saj,
Aleksander Vulin.

Sipas “Die Welt”, Vulin do të jetë pjesë e komitetit të përbashkët që do të themelohet me Kosovën për zbatimin e marrëveshjes së arritur më 19 prill në Bruksel.

Qeveria serbe e mori këtë vendim në një takim urgjent të mbajtur të mërkurën, bën të ditur gazeta prestigjoze gjermane.

Vulin javën e kaluar kishte dhënë dorëheqje nga detyra e shefit të Zyrës për Kosovën në shenjë proteste ndaj kompromisit që ishte arritur lidhur me planin për zbatimin e marrëveshjes mes kryeministrave Thaçi dhe Daçiç.

“Me këtë veprim, Serbia po rrezikon zbatimin në praktikë të marrëveshjes së arritur me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”, shkruan më tej “Die Welt”.

Një ditë më parë, në një debat me eurodeputetët e Komisionit të Jashtëm të PE, kryeministri serb Ivica Daçiç premtoi zbatimin e marrëveshjes.

“Hapi i radhës, për të përfituar datën e çeljes së negociatave të anëtarësimit në BE është zbatimi i marrëveshjes sonë me Prishtinën. Për këtë nuk ka asnjë dyshim”, deklaroi Daçiç.

Daçiç përsëriti se Serbia nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës, por sipas tij ajo është e ndërgjegjshme për realitetin në terren.

Ai premtoi në Parlamentin Europian se marrëveshja e 19 prillit nuk do të çojë drejt krijimit në Kosovë të një republike serbe të dytë, si ajo në Bosnje.

Top Channel