Marko Gjuriç, këshilltar i presidentit serb Tomisllav Nikoliç, ka
deklaruar se grupet e punës të Prishtinës dhe Beogradit kanë arritur
progres gjatë bisedimeve në Bruksel.

Gjuriç, i cituar nga “REL”, ka saktësuar se progresi është arritur në sektorët e policisë dhe drejtësisë, sipas parashikimeve të marrëveshjes së arritur më 19 prill mes dy kryeministrave.

“Fryma në të cilën janë zhvilluar bisedimet ka qenë konstruktive dhe presim një marrëveshje të mundshme nëse nuk ka tërheqje dramatike nga teksti i marrëveshjes”, ka deklaruar Gjuriç.

Ai ka thënë se pesë grupet punuese kanë diskutuar në mënyrë intensive detajet gjatë dy ditëve të fundit, me qëllim sigurimin e të drejtave politike, të pronës personale dhe sigurisë së serbëve të Kosovës.

Zyrtari serb ka shtuar më tej se, bisedimet mes grupeve në fjalë do të vazhdojnë të martën dhe të mërkurën sërish në Bruksel.

Bisedimet nisën të enjten me takimet dypalëshe të drejtorit për Zgjerimin të Bashkimit Evropian, Fernando Gentilini, me delegacionet e të dyja vendeve.

Ekipi i Kosovës në këto takime drejtohej nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ndërsa ai i Serbisë nga Gjuriç.

Top Channel