Qeveria e Maqedonisë dhe ajo e Serbisë, të hënën në Beograd, do të zhvillojnë një mbledhje të përbashkët, të cilën kryeministri serb, Ivica Daçiç, e paralajmëroi në janar të këtij viti, gjatës vizitës së tij në Shkup.

Në mbledhjen e parë të këtij lloji, Gruevski do të jetë i shoqëruar nga 6 ministra të kabinetit të tij, prej të cilëve asnjëri nuk do të jetë shqiptar.

Burime pranë qeverisë bëjnë të ditur se, ministrat e partisë shqiptare në pushtet BDI, kanë marrë vendimin për të mos qenë pjesë e këtij takimi, për shkak të situatës së krijuar pas dështimit të Samitit të Ohrit, ku Kosova nuk u ftua nga presidenti maqedonas, Gjeorgje Ivanov.

Analistët vlerësojnë se ky takim ndër-qeveritar mund të thellojë edhe më tepër ndarjet etnike. Ata i sygjerojnë zyrtarëve maqedonas, që të marrin mësim nga dështimi i Samitit të Ohrit dhe të mos favorizojnë raportet me Serbinë kundrejt fqinjëve të tjerë.

Maqedonia dhe Serbia, vitet e fundit, kanë nënshkruar disa marrëveshje bashkëpunimi, të cilat janë cilësuar nga opozita shqiptare në Shkup si shumë të dëmshme për shqiptarët e Maqedonisë.

Top Channel