Opozita shqiptare në Shkup ka reaguar kundër ligjit për ndarje territoriale në Maqedoni, pasi vlerëson se diskriminon qytetarët në baza etnike dhe politike. Sipas deputetit të Partisë Demokratike Shqiptare, Orhan Ibrahimi, në planin entik diskriminohen komunat me shumicë shqiptare, ndërsa në planin politik, padrejtësi u bëhet komunave që drejtohen nga kuadro të opozitës.

“Shihet një tendencë për të diskriminuar dyfish ato komuna që udhëhiqen prej opozitës, por edhe në baza entike. Për çështje politike, janë themeluar komuna artificiale që nuk kanë ekzistuar më parë në Maqedoni, vetëm për ta ndërprerë kontinuitetin e komunave shqiptare në Maqedoni.”

Pas këtyre akuzave, deputet i PDSH-së, Orhan Ibrahimi, kërkoi të dijë nëse do të ketë ndryshim të ligjit për ndarje territoriale. Ministri i pushtetit lokal, Tahir Hani, tha se ligjet janë kategori e ndryshueshme, por për një gjë të tillë nevojiten arguemente të forta dhe konsensus i gjerë: “Republika e Maqedonisë është një republikë tepër heterogjene dhe në aspektin e formimit të njësive të vetë administrimit lokal nuk është e lehtë që të formohen komuna sipas kërkesave apo pikëpamjeve të ndryshme. Dua të potencoj se kemi mekanizmin mbrojtës të Badenterit, i cili ju jep peshë komuniteteve që janë pakicë nëpër komuna.”

Duke iu referuar rezultateve nga decentralizimi i pushtetit që filloi në vitin 2005, ministri i pushtetit lokal tha se ky proces është një nga segmentet më të rëndësishme të Marrëveshjes së Ohrit. Sipas tij, përmes zbatimit të këtij procesi, arrihet qëllimi kryesor i kësaj marrëveshjeje që është bazë për zhvillimin e demokracisë dhe shoqërisë multientike në Maqedoni.

 

Top Channel